U qëllua me pl*mb gome në sy gjatë protestës, Erjon Vishkulli kthehet nga Italia: Nuk jam penduar që…

ShowBizi

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani i cili mbeti i plagosur rëndë në sy pasi u qëllua nga policia me plumb gome gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet, është kthyer në Tiranë pas tre javësh trajtimi të specializuar mjekësor në Itali.

Në një prononcim për mediat, i riu ka treguar ecurinë e rikuperimit të tij, duke bërë me dije se trupi i huaj që i kishte mbetur në sy është hequr gjatë operacionit të parë në spitalin italian.

Megjithëse mjekët kanë dhënë sinjale pozitive dhe gjendja e tij është stabilizuar, ai theksoi se ende nuk ka siguri të plotë për rikthimin e shikimit dhe se më 17 dhjetor do të kryejë kontrollin e radhës përpara ndërhyrjes kryesore kirurgjikale, ku shpreson të shohë shenjat e para të rikuperimit pas konstatimit se tashmë arrin të ndiejë dritën.

Duke përshkruar këto javë si një periudhë tepër të vështirë, Vishkulli u shpreh se solidariteti i jashtëzakonshëm i miqve dhe qytetarëve të thjeshtë përmes takimeve, mesazheve dhe telefonatave i ka dhënë forcën e nevojshme për të përballuar situatën.

I pyetur për momentin e plagosjes gjatë përplasjeve në sheshin “Skënderbej”, ku pas ndërhyrjes së parë në Spitalin e Traumës u nis me urgjencë drejt Italisë, 28-vjeçari deklaroi se nuk dëshiron ta kujtojë atë ditë, por nënvizoi me vendosmëri se nuk ka asnjë pendesë që mori pjesë në protestë, duke e cilësuar mbështetjen e shqiptarëve si motivin e tij më të madh.

Paralelisht me betejën mjekësore të të riut, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e plotë të përgjegjësive ligjore të kësaj ngjarjeje. Përmes një letërporosie zyrtare drejtuar autoriteteve italiane, organi i akuzës ka kërkuar sekuestrimin e objektit të nxjerrë nga syri i 28-vjeçarit, me qëllim që t’i nënshtrohet ekspertizës balistike dhe kriminalistike. Hetimet e prokurorisë po verifikojnë gjithashtu veprimet konkrete të efektivëve të policisë në terren, për të përcaktuar nëse gjatë shpërndarjes së protestuesve është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar nga ligji.

Lajmet e fundit