Humbje e parakohshme: Ndahet nga jeta në moshën 42-vjeçare mësuesja Esmeralda Samza
Komuniteti i Dimalit është përfshirë nga një hidhërim i thellë pas lajmit për ndarjen e parakohshme nga jeta të Esmeralda Samzës, e cila shërbente si mësuese e lëndës së Matematikës në Gjimnazin “Muhamer Janina”. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Zyra Vendore Arsimore e Dimalit ka përcjellë këtë njoftim prekës, duke theksuar se e gjithë zona është zgjuar nën goditjen e këtij informacioni tragjik për vdekjen e pedagoges së re.
“Ndarja nga jeta e një mësueseje të re. Me dhimbje të thellë mësuam lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta, në moshën vetëm 42-vjeçare, të mësueses së Matematikës në Gjimnazin “Muhamer Janina”, Esmeralda Samza. Një humbje e madhe për familjen, kolegët, nxënësit dhe gjithë komunitetin arsimor të ZVA Dimal. Një jetë e re e ndërprerë shumë herët, duke lënë pas kujtime, dashuri dhe mirënjohje te të gjithë ata që e njohën. Në këto momente të vështira, ZVA Dimal shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, kolegët dhe nxënësit e saj. U prehsh në paqe, Esmeralda! Kujtimi dhe kontributi yt do të mbeten gjatë në zemrat e nxënësve dhe kolegëve” shkruhet në postimin e ndarë ditën e sotme në faqen e ZVA-së së Dimalit.
Sipas informacioneve të siguruara nga newsbomb.al, lamtumira e fundit për mësuesen do t’i jepet ditën e nesërme, ndërsa ceremonia mortore është planifikuar të mbahet pranë varrezave të Suelasit.
Ikja e saj ka lënë një boshllëk të madh tek të gjithë ata që e njihnin, por veçanërisht tek familja e saj e ngushtë, bashkëshorti Arjan dhe dy djemtë, Antonio dhe Riani. Për sa i përket shkaqeve që çuan në ndarjen nga jeta të mësueses në Dimal, ato mbeten ende të pasqaruara për publikun.
