Tr*gjedia në vend: H*mb j*tën 20-vjeçari, helikopteri transporton të plagosurit drejt Tiranës
Në fshatin Kurbnesh të Mirditës, përgjatë aksit Lurë–Rrëshen, është shënuar sot një ngjarje tragjike ku një person ka ndërruar jetë dhe dy të tjerë kanë marrë dëmtime fizike. Tre të rinj ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre në kthim nga Lura, kur ndodhi aksidenti.
Bazuar në informacionet fillestare, drejtuesi 20-vjeçar nuk ka pasur më kontroll mbi mjetin, i cili doli nga rruga dhe ra në një greminë. Si pasojë e përplasjes së fortë, pasagjeri 20-vjeçar Claudio Ndoj ndërroi jetë menjëherë.
Të dëmtuar rëndë nga ky aksident kanë mbetur Arli Kacorri, 20 vjeç, i cili drejtonte mjetin, si dhe një pasagjer 15-vjeçar. Për shkak të vendndodhjes së mjetit në një terren të vështirë, u kërkua ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për t’i nxjerrë personat.
Të dy të mbijetuarit janë dërguar urgjentisht me helikopter në Tiranë, në Spitalin e Traumës, për trajtim më të specializuar mjekësor. Lidhur me ngjarjen, uniformat blu dhanë detajet paraprake mbi shkaqet dhe identitetin e personave të përfshirë.
Njoftimi i Policisë
Policia raportoi se mjeti i drejtuar nga një 20-vjeçar doli nga rruga në aksin Lurë–Rrëshen, duke shkaktuar vdekjen e një pasagjeri të së njëjtës moshë.
Në deklaratën zyrtare thuhet: “Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A.
K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë”.
Ekspertët po punojnë në vendin e ngjarjes nën mbikëqyrjen e Prokurorisë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe motivet që çuan në këtë aksident të rëndë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
