Tragjedi në vend! 37-vjeçarja shtatzënë humb jetën gjatë transportit drejt Tiranës
Në përpjekje për t’u dërguar drejt një qendre mjekësore të specializuar në Tiranë, një grua 37-vjeçare nga Pogradeci ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Gruaja, e cila ndodhej në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe identifikohet me inicialet M.K., kishte kërkuar ndihmën e urgjencës në spitalin e Pogradecit për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
Pas vlerësimit të gjendjes dhe kryerjes së ekzaminimeve paraprake, mjekët kishin vlerësuar se ajo kishte nevojë urgjente për trajtim më të specializuar, duke marrë vendimin për transferimin e saj në kryeqytet.
Fatkeqësisht, kur ambulanca ndodhej pranë zonës së Elbasanit, shëndeti i 37-vjeçares u përkeqësua në mënyrë kritike, duke çuar në ndërrimin e jetës së saj.
Aktualisht, ngjarja është nën hetim dhe po pritet kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur shkaqet e sakta të këtij fataliteti.
