Video e rëndë nga Daiasi: Zjarrfikësi rrezikon jetën, kolegët e thërrasin të largohet

TvShow

Në zonën e Daiasit pranë Tiranës ka shpërthyer një zjarr masiv, i cili po përhapet me shpejtësi të lartë për shkak të erërave të fuqishme. Prej disa orësh, ekipet e zjarrfikësve po përballen me vështirësi të mëdha në terren për të vënë nën kontroll flakët që kanë krijuar një gjendje tejet serioze.

Nga vendi i ngjarjes vijnë pamje shqetësuese, ku flakët kanë përpirë hapësira të gjera me shkurre dhe bimësi, duke shkaktuar një tym të dendur që ka mbërritur deri në kryeqytet.

Një moment dramatik u regjistrua në një video të publikuar online, ku shihet se si flakët përparojnë me shpejtësi drejt punonjësve që po përpiqeshin të shuanin zjarrin. Në regjistrim dëgjohet qartë thirrja e njërit prej zjarrfikësve për kolegun e tij: “O Sokol, o Sokol, ik, hip makinën dhe ik!”

Për fat, banesat nuk janë në rrezik të menjëhershëm pasi vatra ndodhet në një zonë të pyllëzuar me shkurre, edhe pse shpejtësia e përhapjes së zjarrit e ka bërë misionin e efektivëve shumë të vështirë.

Shtimi i forcave zjarrfikëse ka qenë i domosdoshëm, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga dy helikopterë të Forcës Ajrore, një Cougar dhe një Black Hawk, të cilët janë angazhuar për të hedhur ujë nga lartësitë.

Përveç Daiasit, situata paraqitet e ndërlikuar edhe në Dajt dhe Priskë, ku janë identifikuar vatra aktive, ndonëse ato ndodhen tashmë nën kontroll. Sipas informacioneve, në zonën e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, janë dërguar 22 efektivë zjarrfikës, ndërsa vijon ndërhyrja ajrore për shuarjen e plotë.

Lajmet e fundit